E ke shoqëruar nënën në një vizitë mjekësore dhe po e ndihmon të komunikojë me mjekun. Ai flet shpejt, ndërsa ajo të shikon dhe pret që t’ia shpjegosh çfarë po thotë. Ti përpiqesh të kuptosh çdo fjalë dhe ta përkthesh sa më saktë, duke ndier përgjegjësinë që ajo të marrë informacionin që i nevojitet.
Papritur, zemra fillon të të rrahë fort, duart të mpihen dhe të duket sikur nuk po mbushesh dot me frymë. Ndjesitë janë aq të forta, sa fillon të shqetësohesh se mos po të ndodh diçka me zemrën.
Kështu mund të përjetohet një sulm paniku, i quajtur edhe atak paniku. Është një përvojë që mund të të trembë shumë, por nuk është shenjë dobësie dhe nuk është diçka për të cilën duhet të ndiesh turp. Ka mënyra për ta kuptuar atë që po ndodh dhe për të marrë ndihmën që të nevojitet.
Cili është dallimi mes panikut dhe ankthit?
Një sulm paniku është një valë e papritur frike ose shqetësimi të fortë, e shoqëruar me reagime të dukshme në trup. Zemra mund të rrahë me shpejtësi, mund të djersitesh ose të dridhesh, të të merret mendja, të kesh vështirësi në frymëmarrje apo të ndiesh dhimbje në gjoks. Trupi reagon sikur po përballet me një rrezik të menjëhershëm, edhe kur nuk ka një kërcënim të qartë.
Shumica e sulmeve të panikut zgjasin rreth pesë deri në njëzet minuta, megjithëse disa mund të zgjasin më shumë. Kur je duke e përjetuar, edhe pak minuta mund të të duken shumë të gjata.
Ankthi, ndërkaq, mund të shfaqet më gradualisht dhe të të shoqërojë për një kohë më të gjatë. Ai shpesh lidhet me shqetësime që të rëndojnë në përditshmëri: si do ta paguash qiranë, çfarë do të ndodhë në një seancë gjyqësore ose si është shëndeti i një prindi. Ankthi dhe paniku mund të ndërthuren, ndaj nuk është gjithmonë e lehtë t’i dallosh.
Shumë njerëz përdorin shprehjen “atak ankthi” për përjetime të ndryshme. Nuk ke nevojë të dish termin e saktë për të kërkuar ndihmë. Mjafton të tregosh çfarë po ndien dhe si po ndikon kjo në jetën tënde.
Çfarë më ka mësuar puna me familjet emigrante
Për më shumë se njëzet vjet, puna ime është përqendruar te gratë dhe familjet emigrante. Kjo përvojë më ka mësuar ta shoh shqetësimin emocional në lidhje me jetën që bën një person, përgjegjësitë që mban dhe mbështetjen që ka në dispozicion.
Mendoj për vajzën që, që në moshën dymbëdhjetëvjeçare, përkthen për prindërit dhe përfshihet në biseda e vendime që mbartin përgjegjësi të mëdha për moshën e saj. Mendoj edhe për djalin që dërgon para për të ndihmuar familjen, por nuk i tregon askujt sa pak i mbetet për nevojat e veta.
Për një të re, barra mund të jetë ndjenja se nuk ka të drejtë të dështojë, pas gjithë sakrificave që prindërit kanë bërë për të. Për dikë tjetër, mund të jetë pasiguria që shoqëron pritjen e dokumenteve të qëndrimit dhe frika se çfarë do të ndodhë me familjen nëse përgjigjja nuk është ajo që shpreson.
Për disa njerëz që kanë përjetuar luftë, dhunë ose ngjarje të tjera traumatike, ndjenja e rrezikut mund të vazhdojë edhe pasi kërcënimi ka kaluar. Trupi mund të reagojë me frikë në situata që u kujtojnë përvojat e mëparshme.
Në disa familje, të jesh i fortë nënkupton t’i mbash shqetësimet për vete dhe të mos ua shtosh hallet të tjerëve. Mesazhi mund të jetë: “Duhet t’ia dalësh” ose “Mos e shqetëso nënën”. Kur dikush përjeton panik, këto pritshmëri mund ta bëjnë më të vështirë të flasë. Kështu, përveç frikës që po përjeton, mbetet edhe me shqetësimin se diçka nuk shkon me të.
Në kërkimin tim mbi stresin që shoqëron përshtatjen me jetën dhe kulturën e një vendi të ri, kam shqyrtuar rëndësinë e rrethanave familjare, shoqërore dhe ekonomike. Diskriminimi, pasiguria financiare, ndarja nga familjarët dhe frika nga dëbimi mund të shtojnë stresin, ndërsa mbështetja shoqërore dhe marrëdhëniet familjare mund të ndihmojnë në përballimin e tij. Këto gjetje na kujtojnë se shqetësimi i një personi duhet kuptuar brenda rrethanave të jetës së tij.
Prandaj, në punën time, përpiqem të kuptoj edhe çfarë ka përballuar një person, sa përgjegjësi ka mbajtur mbi supe dhe sa hapësirë ka pasur për t’u kujdesur për veten.
Si mund ta ndihmosh veten gjatë një sulmi paniku?
Kur paniku është i fortë, mund të jetë e vështirë të përqendrohesh. Provo një hap të thjeshtë në një kohë, pa i kërkuar vetes që të qetësohesh menjëherë.
- Kujtoji vetes se çfarë po përjeton. Nëse i njeh këto shenja nga sulme të mëparshme paniku, mund t’i thuash vetes: “Po kaloj një sulm paniku. Kjo ndjesi është e frikshme, por do të kalojë.” Fol me veten me durim, ashtu siç do t’i flisje një njeriu të afërt që ka frikë.
- Mbështeti këmbët në dysheme dhe përqendrohu te vendi ku ndodhesh. Nëse je ulur, vëre kontaktin e këmbëve me dyshemenë dhe mbështetjen që të jep karrigia. Përpiqu ta drejtosh vëmendjen te këto ndjesi të thjeshta e konkrete.
- Përpiqu ta ngadalësosh frymëmarrjen pa e sforcuar. Merr frymë butësisht dhe nxirre ngadalë, me një ritëm që të duket i rehatshëm. Nëse të ndihmon, numëro ngadalë gjatë marrjes dhe nxjerrjes së frymës. Nuk ke nevojë të marrësh frymë me forcë ose të arrish një numër të caktuar.
- Shiko përreth dhe përmend pesë gjëra që sheh. Mund të jenë një dritare, një tavolinë, një libër ose sende të tjera pranë teje. Thuaji me mend ose me zë të ulët, në gjuhën që të vjen më natyrshëm. Ky ushtrim mund të të ndihmojë ta kthesh vëmendjen te mjedisi përreth, kur frika dhe mendimet bëhen dërrmuese.
- Nëse je në një vend të sigurt, jepi vetes pak kohë përpara se të largohesh. Nëse ke nevojë të dalësh për pak, mund ta bësh dhe të provosh të kthehesh kur të ndihesh më mirë. Me kalimin e kohës, përballimi gradual i situatave të sigurta mund të të ndihmojë të mos i shmangësh ato nga frika se paniku do të përsëritet.
Nëse këto simptoma shfaqen për herë të parë, ose janë ndryshe nga ato që ke përjetuar më parë, kërko vlerësim mjekësor. Dhimbja në gjoks dhe vështirësia në frymëmarrje mund të kenë edhe shkaqe të tjera. Nëse ke dhimbje të reja ose të forta në gjoks, vështirësi të rënda në frymëmarrje apo dyshon se është urgjencë, telefono 911.
Pasi të jesh qetësuar, bëji vetes tri pyetje
Më vonë, kur të ndihesh më mirë, mund të reflektosh mbi atë që po ndodhte përpara se të fillonte paniku:
- Ku ndodhesha dhe çfarë po ndodhte pak përpara se të filloja të ndihesha kështu?
- Çfarë përgjegjësie po mbaja në atë çast dhe a po përpiqesha t’i përgjigjesha nevojave të dikujt tjetër?
- Me kë mund ta ndaj këtë përvojë, edhe nëse fillimisht them vetëm: “Sot kalova një moment të vështirë dhe kam nevojë të flas”?
Nëse i shënon këto përvoja gjatë disa javëve, mund të dallosh shqetësime, përgjegjësi ose situata që përsëriten. Qëllimi është të kuptosh më mirë përvojën tënde dhe llojin e mbështetjes që të nevojitet.
Ke një pyetje që e ke mbajtur për vete?
Ndoshta ke menduar shpesh për ankthin, marrëdhëniet familjare ose vështirësitë e jetës mes dy kulturave, por nuk ke gjetur rastin apo fjalët për të pyetur.
Mund të më dërgosh një pyetje përmes faqes së kontaktit. Për të mbrojtur privatësinë tënde dhe të të tjerëve, mos përfshi hollësi të ndjeshme ose të dhëna që mund t’ju identifikojnë. Disa prej pyetjeve mund t’i trajtoj, pa emra dhe pa hollësi identifikuese, në shkrimet e ardhshme.
Nëse sulmet e panikut përsëriten ose frika prej tyre po të kufizon jetën e përditshme, një bisedë fillestare falas, 15-minutëshe mund të të ndihmojë të kuptosh nëse terapia me mua është një hap i përshtatshëm për ty. Ofroj terapi online për të rritur dhe adoleshentë në Illinois dhe Minnesota, në shqip dhe anglisht.
Nëse ndodhesh në SHBA dhe po përjeton një krizë emocionale ose ke mendime për vetëvrasje, telefono ose dërgo mesazh në 988. Në rast rreziku të menjëhershëm, telefono 911. Formulari i kontaktit nuk duhet përdorur për të kërkuar ndihmë urgjente.
Referencat
Bekteshi, V., & Kang, S.-W. (2020). Contextualizing acculturative stress among Latino immigrants in the United States: A systematic review. Ethnicity & Health, 25(6), 897–914. https://doi.org/10.1080/13557858.2018.1469733
National Institute of Mental Health. (2025). Panic disorder: What you need to know. Lexo materialin.
National Institute of Mental Health. Traumatic events and post-traumatic stress disorder (PTSD). Lexo materialin.
NHS. Panic disorder. Lexo materialin.
NHS. Breathing exercises for stress. Lexo udhëzimet.
NHS inform. Grounding exercises. Lexo ushtrimet.
NHS inform. How do I deal with panic? Lexo udhëzuesin.