Fëmija juaj kthehet nga shkolla, e lë çantën te dera dhe shtrihet menjëherë në shtrat. Kjo përsëritet prej javësh. Kur e pyesni çka ka, përgjigjet shkurt: “Asgjë.” Dikur ju tregonte gjithçka. Tani mbyllet në dhomë.
Filloni të pyesni veten: a janë këto ndryshime të zakonshme të adoleshencës, apo ka diçka tjetër që po e mundon?
Nuk është gjithmonë e lehtë ta dalloni. Gjatë adoleshencës, fëmijët kërkojnë më shumë pavarësi dhe nuk ndajnë me prindërit çdo gjë që përjetojnë. Por kur mërzia, largimi nga të tjerët dhe humbja e interesimit vazhdojnë për javë të tëra dhe ndikojnë në jetën e përditshme, duhen marrë seriozisht. Mund të jenë shenja depresioni.
Si mund të shfaqet depresioni në adoleshencë
Një adoleshent me depresion nuk duket domosdoshmërisht i trishtuar. Mund të nervozohet lehtë, të grindet më shpesh në shtëpi, të shpërthejë edhe për gjëra të vogla ose të mbyllet në vete.
Vëmendje meritojnë edhe ndryshime të tjera:
- Nuk ka më dëshirë të merret me gjërat që dikur i pëlqenin.
- Fle shumë më tepër ose shumë më pak se zakonisht.
- Largohet nga shokët e shoqet dhe kalon gjithnjë e më shumë kohë vetëm.
- E ka të vështirë të përqendrohet dhe fillon të ketë rënie në mësime.
- Ha dukshëm më shumë ose më pak se më parë.
- Ankohet shpesh për dhimbje koke apo barku, pa ndonjë shkak të qartë mjekësor.
Disa të rinj fillojnë të thonë se nuk vlejnë për asgjë, se janë barrë për familjen ose se do të donin të zhdukeshin. Këto fjalë duhen marrë seriozisht. (nimh.nih.gov)
Nëse fëmija juaj flet për vetëvrasje, thotë se nuk sheh rrugëdalje apo se nuk ka arsye për të jetuar, kërkoni ndihmë menjëherë. Në SHBA, telefononi ose dërgoni mesazh në 988. Nëse ka rrezik të menjëhershëm për jetën, telefononi 911. (nimh.nih.gov, 988lifeline.org)
Depresioni prek shumë të rinj
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Mendor në SHBA, në vitin 2021 rreth 5 milionë adoleshentë të moshës 12–17 vjeç kishin përjetuar të paktën një episod të depresionit madhor. Kjo përbënte 20,1% të kësaj grupmoshe, pra afërsisht një në pesë adoleshentë.
Përqindja ishte më e lartë te vajzat sesa te djemtë: 29,2% kundrejt 11,5%. Megjithatë, po atë vit, vetëm 40,6% e adoleshentëve që kishin përjetuar një episod të tillë morën trajtim. (nimh.nih.gov)
Nëse po përballeni me këtë shqetësim në familjen tuaj, nuk jeni të vetmit. Ka familje të tjera që po kalojnë të njëjtën gjë, dhe ka ndihmë.
Çfarë vërej në punën time me të rinjtë dhe familjet
Ofroj terapi online për adoleshentë në Illinois dhe Minnesota. Shpesh punoj me familje emigrantësh dhe me të rinj që rriten mes dy kulturave.
Në disa familje, ende është e vështirë të flitet hapur për shëndetin mendor. Fëmijët mund të dëgjojnë shprehje si: “Duhet të jesh i fortë”, “Prindërit kanë mjaft halle” ose “Përqendrohu te shkolla”. Edhe kur thuhen me qëllim të mirë, këto fjalë mund ta bëjnë një të ri të mendojë se duhet t’i mbajë për vete vështirësitë që po kalon.
Kështu, fëmija hesht. Prindi vëren nervozën, gjumin e tepërt apo rënien në mësime, por nuk e kupton çfarë po ndodh. Ndonjëherë, kur familja kërkon ndihmë, i riu ka muaj që po përpiqet ta përballojë vetëm gjendjen e tij.
Depresioni mund të trajtohet. Për ta kuptuar çfarë po e mundon një të ri, në punën time shoh edhe rrethanat në të cilat jeton: çfarë ka përjetuar familja, çfarë përgjegjësish ka marrë përsipër dhe çfarë pritet prej tij.
Për fëmijët e emigrantëve, këto përgjegjësi mund të jenë të rënda për moshën e tyre. Mund t’u duhet të përkthejnë për prindërit, të ndihmojnë me dokumente e takime ose të shqetësohen për gjendjen financiare të familjes dhe për të afërmit që jetojnë larg. Disa ndiejnë se duhet t’i shpërblejnë sakrificat e prindërve duke pasur sukses në çdo gjë.
Në të njëjtën kohë, përpiqen të gjejnë vendin e tyre mes pritjeve në shtëpi dhe jetës në shkollë. Mund të duan të përshtaten me shoqërinë, pa i zhgënjyer prindërit dhe pa e humbur lidhjen me kulturën e tyre.
Kur flasim hapur për këto ngarkesa, e kemi më të lehtë të kuptojmë çfarë mbështetjeje i duhet fëmijës.
Çfarë mund të bëni si prind
Nuk keni nevojë t’i dini të gjitha përgjigjet për t’i qëndruar pranë fëmijës. Mund të filloni me këta tre hapa.
1. Flisni për atë që keni vërejtur, pa e qortuar
Zgjidhni një moment të qetë dhe tregojini çfarë ju ka shqetësuar. Për shembull:
“Kam vërejtur që po fle më shumë dhe nuk po del me shokë si më parë. Po brengosem për ty.”
Flisni për ndryshimet që keni parë, pa e fajësuar fëmijën dhe pa i vënë etiketa. Qëllimi është ta kuptojë se po interesoheni për të dhe se mund të flasë me ju.
2. Pyeteni çka po e mundon dhe lërini kohë të përgjigjet
Mund ta hapni bisedën me një pyetje të thjeshtë:
“Çka po të mundon kohët e fundit?”
Ose:
“A ka diçka për të cilën e ke të vështirë të flasësh me mua?”
Pastaj dëgjojeni. Mos nxitoni ta këshilloni ose t’ia zgjidhni menjëherë problemin. Lërini pak kohë, edhe nëse në fillim hesht.
Nëse përgjigjet “Asgjë” ose “Jam mirë”, mos e ktheni bisedën në marrje në pyetje. Mund t’i thoni:
“Në rregull. Kur të duash të flasësh, jam këtu.”
Vazhdoni t’i qëndroni pranë dhe hapeni sërish bisedën në ditët në vijim. Nëse shqetësoheni për sigurinë e tij, kërkoni ndihmë menjëherë.
3. Kërkoni këshillë profesionale
Edhe nëse fëmija juaj ende nuk është gati për terapi, ju mund të kërkoni vetë një konsultë me një profesionist të shëndetit mendor. Kjo mund t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë çfarë po ndodh, si t’i afroheni fëmijës dhe cilët hapa të ndërmerrni.
Një nga qasjet që përdoret për trajtimin e depresionit është terapia kognitive dhe e sjelljes (CBT). Ajo ndihmon në njohjen dhe ndryshimin e mendimeve e sjelljeve që mund ta rëndojnë gjendjen emocionale. Puna në terapi mund të përfshijë edhe hapa të vegjël për të rikthyer rutinën e përditshme, kontaktet me të tjerët dhe aktivitetet që sjellin kënaqësi. (nimh.nih.gov)
Në praktikën time, kur punoj me të mitur, prindi ose kujdestari merr pjesë në takimin e parë dhe jep pëlqimin për trajtimin.
Keni një pyetje?
Keni ndonjë pyetje për depresionin te adoleshentët, marrëdhëniet në familje ose rritjen mes dy kulturave?
Mund të më shkruani përmes faqes sime të kontaktit. Në pyetjen tuaj, ju lutem të mos përfshini emra apo hollësi që mund të identifikojnë dikë. Disa prej këtyre pyetjeve mund t’i trajtoj, në mënyrë anonime, në shkrimet e ardhshme.
Nëse po shqetësoheni për fëmijën tuaj, mund të kërkoni një konsultë falas prej 15 minutash. Gjatë kësaj bisede, mund të shohim nëse terapia do të ishte hapi i duhur për të.
Ofroj terapi online për adoleshentë dhe të rritur në Illinois dhe Minnesota, në gjuhën shqipe dhe angleze. Puna ime përqendrohet te familjet e emigrantëve, fëmijët e tyre dhe njerëzit që jetojnë mes kulturave.
Nëse ju apo fëmija juaj po kaloni një krizë emocionale ose keni mendime për vetëvrasje, në SHBA telefononi ose dërgoni mesazh në 988. Nëse ka rrezik të menjëhershëm për jetën, telefononi 911. Për raste urgjente, mos prisni përgjigje përmes faqes sime të kontaktit.
Burimet
National Institute of Mental Health. Major Depression. Të dhënat për vitin 2021.
National Institute of Mental Health. Depression.
988 Suicide & Crisis Lifeline. Help Someone Else.